Radio Kalabria- Me ju dhe vetem per ju

Shkarkoni audio fajllin per te degjuar radio kalabrine

Posts by Category

Mustafa: Familja Jashari, pjesë e veçantë e historisë tonë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa me kabinetin e Qeverisë kanë bënë homazhe në Prekaz, ku tha se po kujtojnë veprën e familjes Jashari dhe trimave tjerë, të cilët do të jenë pjesë e veçantë e historisë.

“Po kujtohen veprimet ushtarake të serbëve që bënë ndaj popullit shqiptar dhe po kujtojmë edhe sakrificën dhe veprën e familjes Jashari dhe trimave të cilët do të jenë pjesë e veçantë e historisë, e cila do të përshkruaj viktimizimin dhe sakrificën e shqiptarëve”, tha Mustafa, transmeton KP.

Ndryshe nga të tjerët që sot vizituan edhe familjen e Jasharëve, kryeministri Mustafa vizitoi Muzeun.

Përfaqësues të institucioneve, subjekteve politike dhe qytetarë edhe sot po bëjnë homazhe pranë varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe varrezave të familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Homazhet po bëhen me rastin e 18 vjetorit të epopesë së UÇK-së. Të parët që do të bëjnë homazhe sipas njoftimit janë një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i prirë nga kryetari Visar Ymeri bashkë më deputetë dhe anëtarë të kryesisë, të cilët më pas do ta vizitojnë familjen Jashari.

Pas tyre, homazhe do të bëjë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministri i FSK-së, Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, së bashku me delegacionin e Ministrisë për FSK dhe të FSK-së, si dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Homazhe në Prekaz do të bëjë edhe delegacioni i Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe një grup i të rinjve i shoqëruar nga anëtarët e organizatës “Kosova për Sanxhakun”, të cilët pastaj do të vizitojë familjen Jashari, ku do të pritet nga Rifat Jashari.

Tahiri: Kosova në Bruksel do të kërkojë nga Serbia dëmshpërblim për luftën e fundit

Dinamika e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit ka rënë dukshëm këtë fillim vit. Zhvillimet e brendshme politike në këto dy qendra, kanë lënë prapa edhe marrëveshjet e nënshkruara, të cilat në shumicë kanë mbetur vetëm të shkruara në letër edhe përkundër presioneve dhe kërkesave nga faktori ndërkombëtar.

Megjithatë, Kosova do të ketë një agjendë të re në bisedimet politike me Serbinë, duke prekur temat e nxehta për të cilat Prishtina zyrtare ka interes, përfshirë këtu, pensionet, zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë, demarkacioni i kufirit me Serbinë, e deri tek çështja e dëmshpërblimeve që Kosova duhet të kërkojë nga Serbia për dëmet dhe humbjet e mëdha që i ka shkaktuar vendit në kohën e luftës së fundit.

Kryenegociatorja nga Prishtina për dialogun teknik Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri mendon se procedura e zgjedhjeve në Serbi do ta shtyjë procesin e dialogut.

Tahiri përmes linjës telefonike i tha KosovaPress-it se dialogu i Brukselit dhe angazhimi i dyja shteteve në dialog, në raund të parë zgjidhet me perspektivën evropiane të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

“Për ne është e qartë, ne kemi orientim euroantlatik, Kosova e ka botërisht të njohur agjendën e saj euroatlantike. Ne dëshirojmë që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e BE-së dhe atë të OKB-së, prandaj fqinjësia e mirë është një prej kushteve për integrimin evropian prandaj edhe ne jemi të angazhuar. Kjo vlen edhe për palën serbe në çoftë se janë të interesuar të ecin drejt BE, do të jenë të përkushtuar në dialog”, tha Tahiri.

Ajo tha se Serbia edhe më tej ka paqartësi në politikën e jashtme, ngase ata ende janë në mes të Moskës dhe Brukselit.

“Do të shohim pas zgjedhjeve cili do jetë qëndrimi i Serbisë. Në të mirën e gjithë Ballkanit Perëndimorë është që gjitha vendet sa më shpejtë të bëhen anëtare të BE-së. Kjo do ishte një proces që do siguronte një stabilitet dhe një paqe më të qëndrueshme. Ndërsa sa na takon neve në politikën e jashtme ne kemi dy qëllime strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe sigurisht në OKB të anëtarësohemi si vend në anëtare. Tek Serbia në raport me NATO-n nuk e ka të qartë për shkak që kanë ende lidhjet e pa sqaruara me Rusinë”, tha ministrja Tahiri.

Tutje, Edita Tahiri për KosovaPress tha se pas zgjedhjeve në Serbi do të mund të ndodhë që mes Prishtinës dhe Beogradit të krijohen temat e reja për dialog.

“Ne kemi bërë publike listën e temave për të cilat ne jemi të interesuara, tani po u jap temat kryesore. E para është demarkacioni i kufirit ndërshtetërorë mes dy shteteve, e dyta është që të zhbëhen gjithë strukturat paralele serbe në Kosovë që është edhe një kusht themelor për themelimin e asociacionit. Natyrisht ky proces vjen pasi që fillojmë hartimin e statutit që ende nuk e kemi filluar. Do të formohet grupi tre palësh në Bruksel për të shpërbërë strukturat paralele të Serbisë. Pastaj kemi çështjet e reparacioneve të luftës siç është çështja e të pagjeturve, pastaj kthimi i fondit pensional për gjithë pensionistët që nga koha e ish Jugosllavisë të cilët kanë gëzuar këto pensione por për fat të keq Serbia i ka uzurpuar këto fonde pensionale. Pastaj vjen depozita bankare, pastaj vinë dëmshpërblimet për luftën që janë bërë në Kosovë nga Serbia në të gjitha aspektet, çoftë dëme njerëzore, çoftë materiale, kulturore, fetare etj. Pastaj vjen faza e daljes së pasurisë sipas parimit ndërkombëtarë të suksesionit. Si dhe finalizimi i procesit është me njohje reciproke mes dyja shteteve”, tha Tahiri. /k/net

Eurostat: Mbi 66 mijë azilkërkues nga Kosova në BE, renditet e 4-ta

66.885 është numri i shtetasve kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2015. Informacioni që vjen nga raporti më i fundit i Eurostat, bën me dije se 5% e emigrantëve në vitin që lamë pas kanë ardhur nga vendi ynë.

Eurostat në informacionet e publikuara, Kosovën e njeh me fusnotë, duke e vendosur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut. Kurse, Shqipëria renditet në vendin e pestë me 65.935 shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2015, transmeton kp.

Në dokument paraqitet gjithashtu edhe destinacioni i më i kërkuar nga shqiptarët që është Gjermania, vend në të cilin ka pasur 53.805 kërkesa për azil. Ndërkohë, raportohet se në vitin 2015, ka pasur një rekord sa i përket numrit total të kërkesave për azil, teksa shifrat i kanë kaluar 1.2 milionë persona.

Eurostat ka publikuar raportin më të fundit për azil-kërkuesit, në të cilin bëhet me dije se në total, 65.935 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian. Sipas dokumentit, destinacioni më i kërkuar nga shqiptarët ka qenë pikërisht Gjermania, në të cilin janë depozituar gjithsej 53.805 aplikime.

Në terma të përgjithshëm, Eurostat njofton se në vitin që lamë, mbi 1.2 milionë emigrantë kanë udhëtuar drejt vendeve të BE-së me shpresën e qëndrimit të përhershëm. Kjo shifër është dy herë më lartë se ajo e regjistruar në vitin 2014.

Largimet më masive kanë qenë nga Siria ndikuar edhe nga lufta civile që vijon prej pesë vitesh. Qytetarët sirianë kryesojnë listën me 362.775 kërkesa për azil.

Nuk mbeten prapa as dy vendet e tjera të lindjes së mesme, që janë Afganistani dhe Iraku, me respektivisht 178.230 si dhe 141.535 kërkesa. Vendi që ka pritur më shumë refugjatë ka qenë Gjermania, e cila në vitin që lamë pas ka strehuar 441.800 azil-kërkues

Basha: Jasharët treguan se çfarë çmimi ka liria për shqiptarin

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka përkujtuar përmes një statusi në Facebook komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

“18 vjet më parë, Jasharët i treguan botës mbarë se çfarë çmimi ka liria për shqiptarin. Beteja epike e familjes Jashari me në krye komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari vuri gjakun e tyre të kulluar arbëror në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur!”, shprehet Basha.

Duke i uruar “lavdi të pavdekshme” komandantit të UÇK-së, Basha i ka shprehur “nderim përjetë familjes Jashari dhe bijve e bijave të shqipes që dhanë jetën për liri!”.

Mustafa: Komuna e Prilluzhës, sajesë për destabilizim të vendit

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se po e shfrytëzon edhe këtë ditë të madhe, heroizmit të familjes Jasharaj, që të garanton se ajo çfarë po thuhet dhe po shkruhet për kinse themelimin e Komunës së Prilluzhës, sipas tij, është një sajesë e radhës për të destabilizuar vendin.

“Askush nuk është duke biseduar dhe në asnjë procedurë nuk është themelimi i Komunës së Prilluzhës, siç po trumbetohet në disa media dhe nga disa individ. Ne kemi nevojë ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë shtet, e jo që çdo ditë të sajojmë nga një rast të ri për të shqetësuar qytetarët dhe për ta destabilizuar vendin”, ka shkruar Mustafa, transmeton Koha.net.

Ai më tej ka shkruar edhe për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilin ka thënë se do të sqarohet pikë për pikë e kufirit, dhe nëse del që është gabim do të kërkohet përgjegjësi, kurse në të kundërtën, sipas Mustafës, duhet të përgjigjen ata që e thanë të pavërtetën. Ai siguron që nuk do të humbë asnjë metër territor i vendit.

“Do të sqarohet pikë për pikë kufiri me Malin e Zi. Sqarimi do të bëhet në mënyrë profesionale dhe në harmoni me vijën kufitare që më 31 dhjetor të vitit 1988 e ka pasur Kosova, atëherë si krahinë, me Malin e Zi, si republikë. Nëse del se është bërë gabim, do të kërkohet përgjegjësi. Por nëse vërtetohet se çdo gjë është e saktë dhe se kufiri është aty ku ka qenë, atëherë duhet të përgjigjen ata që e than të pavërtetën. I garantoj qytetarët tanë se asnjë metër e territorit të Kosovës nuk do t’i epet Malit të Zi dhe as që ka interesim të Malit të Zi të merr tokë nga Kosova”, ka shkruar më tej Mustafa.

Kryeministri gjithashtu si temë të fundit që ka trajtuar në këtë postim sot pasdite në llogarinë e tij në Facebook, ka qenë edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, për të cilin thotë që do të veprohet ashtu siç ka interpretuar Gjykata Kushteuese marrëveshjen, duke shtuar se fton akterët politikë të pushtojnë së sajuari raste për destabilizim të vendit.

“Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të veprohet ashtu siç Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar marrëveshjen. Ftoj të gjithë akterët politik të pushojmë të sajojmë raste për të destabilizuar vendin. Koha është të mendojmë mbarë dhe të ndihmojmë që ky vend të merr drejtimin e duhur. Vetëm kështu i respektojmë ata që u flijuan për Kosovën”, ka përfunduar Mustafa.

Kosovarët mund të udhëtojnë në Saint Kitts dhe Nevis pa viza

Në një ceremoni rasti të organizuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, është nënshkruar mbrëmë marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si dhe marrëveshja për lëvizje pa viza në mes të Republikës së Kosovës dhe Federatës së Saint Kitts and Nevis.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Saint Kitts dhe Nevis do të forcojnë marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror, transmeton kp.

Palët janë pajtuar gjithashtu të vazhdohet tutje me intensifikimin e komunikimit politik dhe mbështetjen reciproke në marrëdhëniet e përgjithshme ndërkombëtare.

“Përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës së Saint Kitts and Nevis në Kombet e Bashkuara, Sam Terrence Condor, është zotuar se do të ushtrojë ndikimin e tij dhe të qeverisë së shtetit që ai përfaqëson në procesin e lobimit për njohje të reja nga vendet e Karaibeve, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Marrëveshjet janë nënshkruar nga i Ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, Ylber Kreziu, dhe përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës së Saint Kitts and Nevis në Kombet e Bashkuara, Ambasadori Sam Terrence Condor”, thuhet në komunikatë.

Pas kësaj marrëveshjeje, arrin në tetëdhjetë numri i shteteve me të cilat, Kosova ka hyrë formalisht në marrëdhënie diplomatike.

Limaj: Flijimi i Jasharajve i hapi rrugë lirisë

Homazhe në Prekaz ka bërë edhe kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj bashkë me anëtarët e partisë së tij.

Limaj tha se flijimi i komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij kanë hapur rrugën e lirisë.

Ai gjithashtu tha se nga 5 marsi i vitit 1998, rrezet e lirisë depërtuan në gjithë territorin e Kosovës.

Porosia e Jahjagës: Hiqni dorë nga inatet, punoni për shtet të së drejtës

Presidentja në largim, Atifete Jahjaga ka deklaruar se sot është dita që simbolizon bashkimin për ta ndërtuar shtetin, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të Kosovës.

Jahjaga në manifestimin për nderë të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës përkulen para atyre burrave dhe grave që e deshën lirinë.

“Sot është dita që simbolizon bashkimin, ku duhet më shumë respekt e dashuri, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të saj. Sot është dita që duhet hequr dorë nga inatet për të punuar për një shtet të së drejtës. Sot është koha për Kosovën, e cila është një realitet i pa kthyer dhe është koha që FSK të kthehet në Forcë të Armatosur”, ka thënë ajo.

18 vjet nga vrasja e Jasharajve, sot nis Epopeja

jashari-kulla

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars bëhen 18 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz,në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri,për pavarësi e demokraci,që këdo ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi Legjendar,që shekuj e vite i dha Kosovës shumë. Siç dihet familja Jashari,pos komandantit legjendar Adem Jasharit ranë për të mos vdekur kurrë edhe 20 anëtar tjerë të familjes Jashari, përcjell Kosovapress.

Me rastin e 18-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënies së komandantit Adem Jashari, sot nën patronatin e Qeverisë së Kosovës mbahet Manifestim në FSK për të nderuar luftën e UÇK-së.

Në këtë manifestim, që do të mbahet te Kazerma e FSK-së, dhe gjatë rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, do të marrë pjesë dhe kryeministri Isa Mustafa.

Ndërkaq, presidenti në ardhje i Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëj homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Nuk dihet nëse Thaçi do të pritet nga familja Jashari për vizitë./Koha.net